Si përgatiten dhe dorëzohen pasqyrat financiare në QKB

Dorëzimi i pasqyrave financiare në QKB: çfarë depozitohet, afatet, si bëhet në e-Albania dhe çfarë ndryshon me ligjin e ri për regjistrimin e biznesit.

Edlira Kurti

14 nëntor 2026 · 3 min lexim

Pasqyrat financiare vjetore janë “fotografia zyrtare” e biznesit tuaj: ato i shohin tatimet, bankat, partnerët dhe investitorët. Ky udhëzues shpjegon si përgatiten, çfarë depozitohet dhe si bëhet dorëzimi i pasqyrave financiare në QKB, përfshirë ndryshimet e miratuara në tetor 2026.

Çfarë depozitohet

Sipas rasti, subjektet depozitojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB):

  • pasqyrat financiare vjetore;
  • raportin e ecurisë së veprimtarisë, kur kërkohet;
  • raportin e auditimit ligjor, kur auditimi është i detyrueshëm.

Depozitimi bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania: pasqyrat në format elektronik të strukturuar, ndërsa dokumentet shoqëruese në PDF. QKB-ja kontrollon vetëm plotësinë dhe formën e dokumenteve; nëse ka mangësi, e refuzon aplikimin dhe riparaqitja trajtohet si aplikim i ri. Pas depozitimit, të dhënat i kalojnë automatikisht administratës tatimore.

Afatet

  • Deklarata vjetore e tatimit mbi të ardhurat dorëzohet deri më 31 mars të vitit pasardhës, së bashku me pasqyrat financiare në sistemin e tatimeve.
  • Depozitimi në QKB, sipas ligjit aktual, bëhet jo më vonë se 7 muaj nga mbyllja e vitit financiar, pra deri më 31 korrik për vitin kalendarik.

Ndryshime në rrugë: ligji nr. 118/2026, i miratuar nga Kuvendi në tetor 2026 dhe në pritje të botimit, vendos afate të reja për depozitimin në QKB: 30 prill për personat fizikë dhe 30 qershor për personat juridikë. Pasqyrat e depozituara në QKB do të jenë burim zyrtar për institucionet dhe nuk do të ridorëzohen te tatimet. Do ta përditësojmë artikullin kur ligji të hyjë në fuqi.

Mbyllni kontabilitetin përpara raportimit

  1. Regjistroni të gjitha faturat e vitit, përfshirë ato që mbërrijnë në janar për dhjetorin.
  2. Rakordoni bankat, arkën, klientët dhe furnitorët.
  3. Bëni inventarin e stokut dhe të aseteve, dhe llogaritni amortizimin.
  4. Kontrolloni shpenzimet e panjohura për qëllime tatimore dhe llogaritni tatimin.

Për listën e plotë, lexoni Mbyllja e vitit financiar: lista për bizneset.

Kontrolloni balancat, dokumentet dhe miratimin

Para depozitimit, pasqyrat duhet të miratohen nga organi kompetent i shoqërisë (për sh.p.k.-në, asambleja e ortakëve). Kontrolloni që shifrat në QKB të përputhen me ato në deklaratën tatimore dhe që të gjitha dokumentet e kërkuara të jenë bashkë.

Ruani një dosje të plotë për çdo vit financiar

Mbani bashkë pasqyrat, vendimin e miratimit, rakordimet, inventarin dhe konfirmimin e depozitimit. Dokumentet kontabël ruhen për 10 vjet. Sipas ndryshimeve të 2026 në ligjin për kontabilitetin, njësitë e mesme dhe të mëdha i publikojnë pasqyrat edhe në faqen e tyre të internetit, ndërsa një kategori mikronjësish mund të përjashtohet nga publikimi me akt të Ministrit të Financave.

Gabimet që duhen shmangur

  • Shifra të ndryshme në QKB dhe në deklaratën tatimore.
  • Depozitimi pa vendimin e miratimit ose pa raportin e auditimit kur ai kërkohet.
  • Lënia e mbylljes së vitit për javën e fundit para afatit.

Pyetje të shpeshta

A duhet të depozitojë pasqyra edhe një biznes me fitim zero?

Po. Detyrimi lidhet me formën e subjektit dhe ligjin për kontabilitetin, jo me fitimin.

Çfarë ndodh nëse nuk i depozitoj në afat?

QKB-ja zbaton sanksionet e parashikuara në ligjin për regjistrimin e biznesit. Mos e rrezikoni: përgatitja fillon me mbylljen e vitit, jo me afatin.

Abacus ju përgatit pasqyrat financiare

Ne mbyllim vitin, përgatisim pasqyrat dhe i depozitojmë në afat. Na kontaktoni ose shikoni shërbimet e kontabilitetit.

Ky artikull ka karakter informues dhe nuk zëvendëson këshillimin profesional për rastin tuaj. Burime: ligji nr. 25/2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” (nenet 8, 22), ndryshuar me ligjin nr. 87/2026; ligji nr. 9723/2007 (neni 46); ligji nr. 118/2026 (miratuar, në pritje të botimit); VKM nr. 391/2017, ndryshuar me VKM nr. 796/2026; ligji nr. 29/2023.

Të gjithë artikujt

Keni një pyetje për tatimet apo financat tuaja?

Do të jemi pranë jush për çdo pyetje që mund të keni, pasi ato prekin si situatën tuaj tatimore, ashtu edhe atë financiare. Na kontaktoni në çdo kohë.

Na kontaktoni